Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

BUTËSIA ËSHTË DETYRIM FETAR DHE FSHEHTËSI PËR ARRITJE

         Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se e ka dëgjuar Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë:
         “Butësia kudo që gjendet ajo zbukuron, ndërsa kur largohet nga çdo gjë, ajo veçse e shëmton”.
         Këtë hadith me këtë tekst e shënon imam Muslimi në Sahihun e tij nr. 2594. Kurse me tekste të përafërta në kuptim e shënojnë edhe imam Buhariu, nr. 6030, gjithashtu Muslimi, nr. 2592, Tirmidhiu, nr. 213 me sened të saktë,  Ahmedi, 6/104, të cilin e saktëson Albani në “Sahiha” nr. 523.
 
         Shkaku i thënies së këtij hadithi:
               Shkak i përmendjes së këtij hadithi nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, rrëfehet të ketë qenë rasti i Aishes, e cila ishte duke hipur në deve, por pasi pati vështirësi gjatë hipjes edhe filloi të bërtasë me devenë. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, me të dëgjuar fjalët e saj e këshilloi me fjalët e përmendura në këtë hadith të cilin e shënuam në fillim. (Shënon Muslimi)
         Komentimi i hadithit:
         Fillimisht dua të them se në kapitullin e mirësjelljes, gjegjësisht të butësisë hadithi në fjalë është shumë i rëndësishëm dhe konsiderohet bosht i kësaj teme. Gjithashtu butësia është suksesi i çdo arritjeje përmes së cilës njeriu arrin që çdo punë, fjalë, gjest etj., ta bëjë më mirë dhe të ketë me të më shumë sukses.
         Fjala në hadith: “Butësia kudo që gjendet ajo zbukuron”
         Fjala “Butësi” do të thotë: marrje e çështjeve në formën më të mirë dhe kryerja e gjërave në mënyrën më të bukur dhe të lehtë të mundshme. Pra, e kundërta e vrazhdësisë dhe e ashpërsisë.
         Butësia është veti e besimtarëve, të cilën janë të detyruar ta zotërojnë, duke mos lënë tek askush arsyetime me fjalë boshe, se kinse dikush e ka natyrën të tillë dhe është i vrazhdë. Islami na urdhëron me butësi, mirësjellje dhe lehtësim në të gjitha çështjet. Ky është rregull detyrues, që i hedh poshtë arsyet e kota. Me futjen në Islam, secili prej nesh është i detyruar të bëhet i butë, duke i lënë anash veset e kohës së injorancës. Prandaj askush nuk ka asnjë arsye për vrazhdësinë, pa marrë parasysh çfarë i pjell mendja që të arsyetohet me të. Për fat të keq ka njerëz që sillen vrazhdë dhe janë të ashpër me të tjerët, të cilët kur i pyet pse janë të tillë, ata arsyetohen se në këto kohë nëse bëhesh i butë të tjerët të marrin nëpër këmbë. Ky arsyetim është i kotë dhe bie ndesh me atë që ka përmendur Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem. Ai thotë se butësia është ajo që i ndreq gjërat, kurse vrazhdësia vetëm i prish. Kështu që kush mendon të kundërtën e asaj që thotë Profeti, ai ka gabuar. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, në një hadith tjetër thotë: “Kujt nuk i jepet butësia, atij nuk i është dhënë aspak mirësi.” (Muslimi2592, Ebu Davudi, Ibën Maxhe, etj.)
         Fjala në hadith: “kudo që gjendet” d.m.th. pa marrë parasysh butësia ku është, në çfarëdo punë, rasti, etj., ajo veçse e zbukuron dhe e ndreq atë punë dhe nuk ka mundësi që ajo të gjendet diku e ta prishë atë. Kjo është e para. Pra, kudo që e vendosim butësinë ajo sjell dobi dhe në anën tjetër butësinë me këdo që ta përdorim, kam si qëllim me çdo lloj njeriu, besimtar apo jo, të devotshëm apo mëkatarë, të vjetër ose të rinj etj., me të gjithë këta lloje njerëzish duhet të sillemi me butësi. Këtë e vërteton edhe fjala profetike në të cilën përmendet: “Allahu e do butësinë në të gjitha gjërat.” (Muslimi) pra, në çdo gjë, në çdo punë, fjalë, sjellje, etj., ndërsa butësia me të gjitha llojet e njerëzve vërtetohet me hadithet e tjera profetike, të cilat tregojnë për sjelljen me butësi të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, disa prej të cilave do t’i përmendim më poshtë.
         Dijetarët thonë se butësia sjell dy lloje dobish; e para, se njeriu i butë do të shpërblehet nga Allahu në botën tjetër, për shkak se e ka respektuar një urdhër të Allahut të kërkuar nga ai. Ndërsa dobia e dytë, ajo në këtë botë ku Allahu i Lartësuar për hir të butësisë së besimtarit nëpër çështje të caktuara i mundëson atij arritjen e qëllimeve, sukseseve, duke i zbukuruar ato, përmes të cilave do t’ia kalojë të tjerëve me punët e tij në cilësi, kështu që edhe në këtë botë nuk mbetet mbrapa shokëve të tij përkundrazi i kalon ata.
         Fjala në hadith: “ndërsa kur largohet nga çdo gjë, ajo veçse e shëmton”
         Pra, e kundërta e asaj që përmendëm deri tani. Mungesa e butësisë lë vend për vrazhdësi e kështu kjo e fundit do të jetë shkak për shëmtimin dhe ngecjen e punëve. Vrazhdësia sjell dëme në këtë botë dhe në botën tjetër, ajo ndalohet me të gjithë njerëzit, bile edhe me armiqtë atëherë kur kërkohet diçka e tillë.
         Dua të bëjë një sqarim të vogël: ka njerëz që mendojnë se butësi patjetër do të thotë dobësi, ngase butësia lë vend për dobësi, sepse njeriu i butë nuk mund të jetë në gjendje t’i bëjë ballë armiqve të Islamit, nuk mund ta bëjë përmirësimin me dorën e vet etj. Kjo është gabim, ngase butësi nuk do të thotë lënie e kërkesave dhe e detyrimeve karshi të tjerëve në emër të butësisë. P.sh., nëse dikush ka vjedhur, atëherë për shkak të butësisë nuk do të thotë të mos i pritet dora. Apo nëse është luftë të mos vritet armiku në betejë e kështu të vrasë ai ty. Butësia dallon nga dobësia, ngase butësi do të thotë edhe vrasje e armikut, por në mënyrën më të mirë të lejuar; do të thotë prerje e dorës së vjedhësit, por me butësi duke mos ia prerë deri në kraharor, apo duke mos ia prerë të dy duart. Për këtë çështje Sufjan Theuriu i pyeti shokë e tij, duke iu thënë: “Çfarë mendoni ju, se është butësia?” Ata i thanë: Na trego ti, o dijetar. Atëherë ai tha: “Butësi është që t’i veprosh të gjitha gjërat sipas masës së tyre të kërkuar. Ta vendosësh forcën ku e ka vendin, respektin ku e ka vendin, shpatën në vendin e saj dhe kamxhikun në vendin e tij.” (Ihja ulumuddin, 1/185)
         Argumentet që flasin rreth butësisë:
         Duke mos pasur mundësi t’i përmend të gjitha do të veçoj disa prej tyre:
         Ajete e Kuranit:
          “Në sajë të mëshirës së Allahut u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoji falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Ali Imran, 159)
          “Shkoni tek Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet, a frikësohet!”  (Taha, 43-44)
         Hadithet e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem:
         -                      “Kujt i jepet butësia atij i është dhënë mirësi e madhe, e kujt nuk i jepet ajo, atij i është ndaluar mirësia.” (Tirmidhiu dhe Ibën Huzejme-sahih)
         -                      “Kujt nuk i jepet butësia i është privuar e tërë mirësia.” (Ebu Davudi, Ibën Maxhe)
         -                      Aisheja, radijallahu anha, tregon se një ditë çifutët i thanë Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem: Es-samu alejkum, që do të thotë: vdekja qoftë mbi ty. Profeti ua ktheu butësisht me fjalën: Edhe mbi ju. Aisheja thotë: Unë me të dëgjuar fillova t’u them atyre: Mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi. Profeti me të dëgjuar më tha: “Ngadalë oj Aishe, Allahu e do butësinë në çdo gjë”, por unë i thashë: O i Dërguar, a nuk i dëgjove çfarë të thanë? E ai ma ktheu: “I dëgjova dhe ua ktheva atë përgjigje, a nuk e di se Allahu mua ma pranon lutjen kundër tyre, kurse atyre jo?!...” (Buhariu, 6030)
         Këtu vërehet mjaft qartë, se ai ishte i butë edhe me armiqtë e tij më të mëdhenj dhe ai në këtë rast nuk qëndroi duarkryq e kështu kjo sjellje e tij të konsiderohej dobësi, por ua ktheu ashtu siç e merituan, duke mos e tepruar, por me shumë butësi, gjest ky i cili e vërtetoi sa butësinë aq edhe burrërinë dhe profetësinë e tij, sal-lallahu alejhi ue selem.
         -                      “Allahu e do butësinë në të gjitha gjërat.” (Muslimi)
         -                      “Allahu është i Butë dhe shpërblen për butësinë, aq sa nuk shpërblen për vrazhdësinë.” (Muslimi)
         -                      “Një ditë një beduin urinoi në xhami, shokët e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, me të parë filluan ta kritikonin. Profeti kur i dëgjoi ju tha atyre: “Lëreni të qetë, kurse urinës së tij hidhini një kovë me ujë. Mos harroni se jeni dërguar lehtësues (për të tjerët) e jo vështirësues.” (Buhariu)
         -                       “Oj Ajshe, bëhu e butë, sepse Allahu kur dëshiron të fusë mirësi në një familje i udhëzon të bëhen të butë.” (Ahmedi, 6/104, sahih).
         -                      “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos hidhëroni.” (Buhariu).
         -                      Aishja thotë: “I Dërguari kur është lënë të zgjedhë mes dy gjërave të lejuara ai ka zgjedhur më të lehtën...” (Buhariu dhe Muslimi).
         -                      Një shok i Profetit i tha atij: O i Dërguar lute Allahun, që ta shkatërrojë fisin Deus. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, filloi të lutej me fjalët: “O Allah, udhëzoje Deusin.” (pra, nuk u lut për mallkim por për udhëzim) (Buhariu dhe Muslimi).
         -                      Në Taif populli i atij vendi e gjuajtën me gurë, deri sa e përgjakën të tërin e ai duke vrapuar me duar në kokë, duke u mbrojtur nga gurët lutej: “O Allah, fale popullin tim, se nuk e dinë (kush jam).” (Buhariu dhe Muslimi).
          
         Profeti ishte i butë edhe me kafshët.
        
        
         -                      Ai thotë: “Kur të udhëtoni me devetë tuaja, nëse kaloni nëpër kullosa, atëherë lërini ato për pak kohë që të hanë prej asaj kullose. Ndërsa nëse udhëtoni në vende pa kullosa mos u vononi, por ecni më shpejt sa janë të forta, kështu të arrini në destinacionin tuaj pastaj ushqejini...” (Muslimi)
         -                      “Një grua ka për të hyrë në zjarr për shkak të një maceje. E ka mbyllur atë duke mos i dhënë ushqim e as duke mos e lënë të ushqehet nga mbeturinat e tokës.” (Buhariu dhe Muslimi)
         -                      “Allahu urdhëroi butësi me çdo gjë. Kur mbytni, të mbytni sa më mirë dhe kur t’i therni kafshët, therini sa më mirë, mpriheni thikën kështu do ta qetësoni kafshën.” (Muslimi).
         -                       “Profeti ndaloi të merrej shënjestër për gjuajtje çdo gjë që është e gjallë.” (Muslimi)
         -                      Një ditë Profeti,sal-lallahu alejhi ue selem, kaloi pranë një deveje të dobët, së cilës i ishte ngjitur barku me shpinën dhe me këtë rast tha: “Frikësojuni Allahut ndaj këtyre kafshëve, ngase ato nuk flasin, ngarkojini me masë dhe ushqejini mirë.” (Ebu Davudi, hasen)
         Kjo pra, është Feja Islame, feja e paqes dhe e butësisë, e respektit ndaj çdo krijese që ka shpirt dhe merr frymë. Feja e paqes larg çdo vrazhdësie, veti kjo e fundit që s’i takon asnjë muslimani përkundrazi i vishet fesë tonë nga ata që vetë janë të tillë. Veprojnë kështu për të mbuluar jo vetëm vrazhdësinë e tyre, por edhe krimet e veta përmes sulmit dhe propagandës, sepse kanë si rregull të tyre strategjinë: “Sulmi është mbrojtja më e mirë”. Atë që ka mbjellë Islami para një mijëvjeçari e gjysmë dikush sot për interesa personale vetëm e pretendon. Për t’ua mbushur mendjen të tjerëve vetëm e pretendon atë. Islami ka mëshirë për macen, zogun dhe pulën, ndërsa dikush nuk ka mëshirë as edhe për njerëzit. Por si mund të ketë mëshirë për të tjerët ai që nuk ka mëshirë për fëmijën e vet, e hedh në kontejner për të jetuar me qenin e “dashur”. Sakrifikon fëmijën, ndërsa në anën tjetër i nxjerr pasaportë qenit me pretekst se është i mëshirshëm dhe tregon butësi. Larg, larg çdo etike dhe butësie janë njerëzit e tillë. Kur humbin peshojat, atëherë gjërat nuk kanë me çfarë të maten dhe kështu patjetër do të ndodhë. Kështu ndodh me ata që janë larg mësimeve të Islamit, të humbur në këtë botë, të mashtruar me marrëzitë e tyre dhe të humbur edhe në botën tjetër.
Allahun e falënderoj që më bëri musliman, ma mësoi butësinë ndaj çdokujt, më tregoi etikën e vërtetë, sjelljen me të gjithë, prandaj jam faqebardhë kudo që shkoj dhe para çdokujt pa marrë parasysh sa mundohen të tjerët të më shesin mend.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free