Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Terapia me Kuran

Dr. Selman Aude

1 - Termi “shërim” është një term që përcjell një kuptim më të gjerë sesa termi “ilaç” edhe pse ai e përcjell në vetvete dhe kurimin. Kurani fisnik është ilaç, e megjithatë, Zoti e etiketon në Kuran me fjalët: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. (Fusilet, 44)

Njeriu mund të marrë ilaçe dhe të mos shërohet nga sëmundja nga e cila vuan, pasi fiziku i tij nuk reagon pozitivisht ndaj ilaçit. Kur themi që Kurani është shërim, kjo do të thotë se ai e përmbush objektivin dhe rikthen shëndetin.

Termi “shërim” është përmendur gjashtë herë në Kuranin fisnik. Të flasësh për Kuranin si shërues, nuk do të thotë të hedhësh poshtë shkaqet e tjera shpirtërore të shërimit, si lutja, sadakaja, uji i shiut etj. Zoti thotë në Kuran: “Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë si shenjë sigurie nga ana e Tij dhe lëshoi nga qielli shi, për t’ju pastruar nëpërmjet atij, për të larguar nga ju ndyrësinë e djallit dhe për t’i forcuar zemrat tuaja dhe këmbët.” (Enfal, 11)

Uji i Zemzemit shërben si kurues sipas nijetit dhe qëllimit për të cilin konsumohet. Profeti a.s thotë: “Ai është ushqim për një të uritur dhe shërim për një të sëmurë.” Kjo nuk bie aspak ndesh me shkaqet e tjera të trajtimit të sëmundjeve, siç janë ilaçet e mjekësisë moderne, terapitë e ndryshme, ndërhyrjet kirurgjikale etj. Prandaj, nuk duhet parë si kontradiktore fakti që terapive mjekësore u bashkëngjitet terapia shpirtërore.

2 – Qëllimi madhor dhe thelbësor i shërimit, është udhëzimi i zemrave dhe i mendjes, dëlirësimi, pastrimi dhe përsosja e shpirtit. Ne duhet të ndërgjegjësohemi se Kurani është shpallur kryesisht për këtë qëllim. Zoti thotë në Kuran: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad, 29)

Kurani është shpallur si udhërrëfyes për në Xhenet, si orientues për vendin e paqes së amshuar, ai është një thirrje për moralet më të larta, dije, udhëzim dhe besim. Njëkohësisht, ai lufton të kundërtat, si mosbesimin, shthurjen, krimet etj. Ky është thelbi kryesor dhe domethënia esenciale e Kuranit të cilin duhet ta kemi parasysh ditë e natë, në vetmi e në publik. Kur të themi se Kurani është shërues i fizikut dhe i shpirtit, ata që e meritojnë këtë shërim janë ata tek të cilët Kurani ka lëshuar rrënjë në zemra dhe mendje. Ai që është udhëzuar sipas udhëzimit Kuranor me mendje, zemër dhe shpirt, e meriton më shumë të përfitojë nga Kurani kur lutet sipas lutjeve të tij dhe kërkon shërimin nga sëmundjet psikologjike dhe fizike.

3 – Kurani fisnik përmban nëntë lloje shërimi:

I pari: është “shërim për zemrat tuaja”. (Junus, 57) Ky lloj shërimi, na garanton shërimin nga çdo lloj pyetjesh dhe dyshimesh ekzistencialiste. Udhëzuesi më i mirë i njeriut drejt rrugës së Zotit, besimit tek Zoti, profetët, librat e Tij dhe botë tjetër është pikërisht Kurani fisnik. Ai ngërthen në vetvete mrekulli të shumta, oratori dhe ndikim të pakrahasueshëm shpirtëror.

Do të ishte gabim të hamendësohej se besimi tek Zoti, është një bindje racionale e pastër, tek e cila mund të arrijmë thjesht nëpërmjet debateve logjike. Po, kjo është vetëm njëra nga rrugët që ka përdorur Kurani për të na çuar tek besimi. “Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?!” (Gashije, 17-18)

“po edhe në vetet tuaja - a nuk e shihni vallë?” (Dharijat, 21)

“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” (Tur, 35)

Kurani është “shërim për zemrat tuaja” pasi u vë fre epsheve dhe pasioneve. Zoti i lartësuar i ka etiketuar epshet si sëmundje. “Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore.” (Ahzab, 32)

Dëgjimi i Kuranit fisnik, është pengesa më e mirë për të mos rënë në gjynahe, është motivi më i efektshëm për njeriun që edhe nëse bie në ndonjë gjynah të rëndë, të mos vazhdojë më tej por të shpejtojë të dalë nga ai batak duke u lidhur me Zotin. Gjithmonë Zoti i lartësuar ofron alternativa, atë të besimit, kënaqësinë e devotshmërisë, adhurimit, premtimit për shpërblim në botën tjetër. “Ata do të jenë banorë të Xhenetit; ky është premtimi i vërtetë, që u është premtuar.” (Ahkaf, 16)

Kurani është shërues i zemrave nga urrejtja, mëritë dhe xhelozitë, të cilat shpesh herë e rrënojnë jetën e njeriut dhe ua prishin zemrat. Me gjuhën e Ibrahimit a.s, Zoti thotë: “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara, 88-89) Lidhur me banorët e Xhenetit, Zoti thotë: “Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre.” (Hixhr, 47) Tregohet se mëritë dhe urrejtja, Ditën e Kiametit do të mblidhen në formën e një vathe devesh, jashtë portës së Xhenetit. Kjo tregon se pastrimi i zemrës nga mëritë dhe urrejtja, është një nga format që të afrojnë me Zotin, një nga qëllimet e Sheriatit dhe vetë Kuranit fisnik. Në një hadith, Profeti a.s thotë: “Në xhenet, do të hyjnë popuj me zemër të vogël sa zemra e zogjve.” Pra, të pastra dhe të dëlira nga çdo sëmundje, por dhe të afta për të harruar çdo të keqe.

I dyti: Besimi dhe opinioni i mirë tek Zoti i cili qëndron mbi çdo shkak. Kurani fisnik na prezanton me Zotin i cili ka në dorë gjithçka. “Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Maide, 120)

Ligjeve pozitiviste u nënshtrohen njerëzit, kurse Zoti i lartësuar është ligjvënësi dhe Krijuesi i gjithësisë. Për këtë, një  besimtar në përgjithësi dhe një i sëmurë në veçanti, kanë shpresë dhe besim të fortë se vetëm Zoti ka në dorë ti thyejë këto ligje dhe të bëjë mrekulli shëndetësore, duke sjellë rezultate krejt të kundërta me pritshmërinë e mjekëve. Kurani fisnik ia jep dhe e pajis njeriun me këtë besim të madh.

I treti: Kurani është shkak për shërimin e problemeve njerëzore, sociale, politike, familjare dhe ambientaliste prej të cilave lëngon sot e gjithë bota për shkak të rreziqeve që i kanosen njerëzimit. Ai është një thirrje për ti trajtuar këto shkaqe, për ti luftuar sëmundjet dhe për të manifestuar durim karshi problemeve të cilat nuk po i zgjidh dot njeriu. Zoti thotë në Kuran: “Mbështetu në të Përjetshmin, i Cili nuk vdes dhe madhëroje Atë me falënderim!” (Furkan, 58)

“Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (Hixhr, 97-99)

Kurani i motivon dhe i nxit njerëzit që kanë humbur shpresën tek shërimi mjekësor, duke e forcuar shpresën tek Zoti, shoqëruar me bindje, durim dhe dorëzim të plotë ndaj caktimit të Tij.

I katërti: Në Kuran gjenden udhëzime metodologjike në kërkim të zgjidhjeve dhe përmbushjes së shkaqeve. Ne duhet të ndërgjegjësohemi se Kurani nuk është libër mjekësie i cili identifikon sëmundjet e njerëzve dhe mandej jep recetat e duhura. Kurani ka ardhur për të piketuar metodologjinë e kërkimit, ai na motivon për tu përpjekur dhe zbuluar. Kështu, kur Zoti në Kuran na thotë për mjaltin se: “Nga barku i tyre del lëng me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit.” (Nahl, 69) ne kuptojmë se shumë bimë, pije dhe ushqime shërbejnë për shërimin e sëmundjeve. Prej njerëzve pritet që të bëjnë çmos për ti zbuluar këto ilaçe dhe të zgjerojnë informacionin dhe dijet e tyre. Profeti a.s thotë në një hadith: “Për çdo sëmundje, Zoti ka zbritur dhe ilaçin, e mësoi kush e mësoi dhe e injoroi kush e injoroi.” Ai e cilëson mjekësinë si dije, kurse të kundërtën e quan injorancë dhe se kjo tokë mban mbi faqen e saj ilaçe për të gjitha sëmundjet, sidën, kancerin etj. ilaçe të cilat mund të mos i dimë sot, por që pas disa vitesh mund të zbulohen.

Ai është një ftesë për mendjen që të zbulojë dhe eksperimentojë në dobi të njerëzimit. Profeti Muhamed a.s na urdhëron të kurohemi: “Kurohuni por jo me haram”. Duke na ftuar që të mësojmë mjekësinë dhe ta zbatojmë atë në jetën tonë.

E pesta: Kurani bën thirrje për jetë të sistemuar e cila bazohet tek shëndeti dhe kjo nëpërmjet asaj që njihet si mjekësia parandaluese. Kështu, pastërtia, abdesi, larja e trupit dhe e rrobave, respektimi i normave që janë pjesë e natyrshme e njeriut, ndikojnë pozitivisht në shëndetin e njeriut. Profeti a.s thotë se gjërat e natyrshme, janë bërja synet, prerja e mustaqeve, prerja e thonjve etj.

Thotë Zoti në Kuran: “mos e çoni veten tuaj në shkatërrim...” (Bekare, 195)

Kurani na e ndalon çdo formë rreziku dhe aventure e cila rrezikon jetën dhe shëndetin tonë. Ai na ka urdhëruar të largohemi nga ushqimet e dëmshme që shkaktojnë sëmundje, si ngrënia e cofëtinës, konsumi i alkoolit, ngrënia e mishit të derrit, marrëdhëniet jashtëmartesore dhe veprat e tjera të liga të cilat kanë jo vetëm efekte fizike por edhe shpirtërore dhe sociale. Islami na ndalon që të shkojmë apo të largohemi nga një vend ku ka rënë epidemia. Profeti a.s thotë: “Nëse dëgjoni se ka rënë murtaja në një vend, mos shkoni atje. E nëse ka rënë në vendin ku jetoni ju, mos u largoni prej tij.”

E gjashta: Kurani ka vënë piketat e një regjimi të shëndetshëm duke bërë thirrje për distancim nga shpërdorimi. Zoti thotë në Kuran: “Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (Araf, 31) Ai na këshillon që të shmangim gjithçka që rrezikon shëndetin tonë, duke e lejuar ngrënien gjatë udhëtimit edhe gjatë ramazanit. “por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” (Bekare, 184) Ai ka përligjur tejemumin në rast se nuk gjendet ujë ose personi është i sëmurë. “përveçse nëse jeni duke udhëtuar, derisa të laheni. Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër.” (Nisa, 43)

E shtata: Kurani është shërim nga tensioni i nefsit por dhe nga çdo formë presioni me burim nga jashtë, të cilat zakonisht shkaktojnë një sërë sëmundjesh organike. Kur doktorët na flasin për sëmundjet e zemrës, tensionin e gjakut, diabetin dhe shumë sëmundje të tjera të përhapura, burimin e tyre e lidhin me humorin dhe presionet psikologjike, presionet në punë, dështimet, problemet familjare etj. Për këtë, Xhafer Sadiku Zoti e mëshiroftë thoshte: “Më çudit dikush që e mbërthen frika e paniku dhe nuk gjen prehje tek. (Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!”  (Ali Imran, 173) Më çudit dikush që ndihet i trishtuar e nuk gjen prehje tek: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Ali Imran, 87) Kjo, sepse menjëherë pas këtij ajeti Zoti thotë: “Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Ali Imran, 88) Më çudit dikush që ka rënë pre e një dredhie dhe kurthi, si nuk gjen prehje tek: “Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet”. (Gafir, 44) sepse pas këtij ajeti, Zoti shton: “Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre” (Gafir, 45) Nëse këto ajete i lexon me besim dhe bindje, do të shërbejnë si mburojë nga gjithçka që të frikëson.

E teta: Kurani është shërim nga sëmundjet psikologjike, si stresi, depresioni, ankthi, tensioni etj. Sot, pothuaj 50 % e atyre që lëngojnë nga probleme të tilla, i kanë kronike. Më e çuditshmja është se kur flitet për stresin dhe depresionin, sheh që prej tij vuajnë si i madhi dhe i vogli, si pushtetarët ashtu dhe masat, si tregtari dhe ministri, si burri dhe gruaja. Me këtë rast, dua të sjell përvojën e doktor Ahmed Kadi, në qendrën mjekësore shkencore në Panama, në SHBA. Ai bashkë me një grup mjekësh kanë bërë një sërë eksperimentesh me myslimanë dhe jomyslimanë nga ata që nuk e dinin gjuhën arabe. Ai u lexonte Kuran dhe maste ndikimin e Kuranit në mendjet dhe trupin e tyre. Ai tregon se 97 % e personave ndikoheshin nga leximi i Kuranit, i cili u falte qetësi dhe prehje. Përvojën e tij ai e hodhi në një libër të cilin e titulloi: “Ndikimi i leximit të Kuranit në funksionet biologjike të trupit”

Kurani e pajis njeriun me qetësi, prehje, shpresë dhe energji. Fjala: “La haule ve la kuvete il-la bil-lah - Nuk ka fuqi përveçse fuqisë së Allahut” ka një ndikim të çuditshëm tek njeriu. “Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: “Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse fuqisë së Allahut.” (Kehf, 39) Ajo fal mbrojtje dhe siguri, si dhe garanton ndryshim e përmirësim.

E nënta: Shërimi fizik, rreth të cilit flitet shpesh dhe që njihet me emrin “Rukja”. Kjo, për shkak se fiziku i njeriut është i lidhur ngushtë me botën e tij shpirtërore, shëndeti psikologjik është edhe shëndet fizik. Nga përvoja ime, kam parë që shumë njerëz që gëzojnë shëndet të plotë mendor dhe humor të mirë, kanë edhe shëndet fizik të plotë, janë persona të qetë dhe nuk ankohen nga sëmundje organike. Nga ana tjetër, kam parë që shumë persona që vuajnë nga sëmundje psikologjike më pas vuajnë dhe nga sëmundje të ndryshme organike.

E dhjeta: Shërim fizik dhe organik, gjë e cila është bërë objekti bisedash për shumë njerëz sot dhe që njihet me termin “rukja”. Trupi i njeriu është i lidhur ngushtë me botën e tij të brendshme. Kështu, shëndeti i njërit është shëndet dhe për tjetrin. Kam takuar shumë njerëz të cilët gëzojnë një gjendje mendore dhe humor të mirë, të cilët rrallë herë ankohen nga sëmundje organike. E kundërta ndodh me ata që kanë probleme psikologjike, të cilët njëkohësisht vuajnë edhe nga sëmundje dhe probleme fizike. Profeti a.s thotë: “Besimtarët, në solidaritetin, dhembshurinë dhe miqësinë mes tyre, i përngjajnë një trupi të vetëm. Nëse një organ lëngon, i gjithë trupi përfshihet nga temperatura e lartë dhe pagjumësia.”

Perktheu: Elmaz Fida

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free