Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ndërto ura, jo mure

Kjo është historia e dy vëllezërve të cilët jetuan për kohë të gjatë në harmoni me njëri-tjetrin në fermën e tyre të përbashkët. Ata dilnin në punë bashkë, punonin bashkë dhe ktheheshin bashkë. Harmonia dhe mirëkuptimi ishin tiparet dominuese të jetës së tyre. Por një ditë prej ditësh, krejt befasisht mes tyre shpërtheu një zënkë e paprecedent. Ishte problemi i parë që lindte mes tyre që prej dyzet vitesh.

Gjithëka ndodhi për shkak të një keqkuptimi, i cili u trash aq shumë saqë filluan me fyerje, ofendime dhe kacafytje, të cilat u pasuan nga një heshtje e gjatë reciproke e cila zgjati me javë. Njëri prej tyre, ndryshoi dhe drejtimin e përroit plot ujë, për ta vështirësuar komunikimin me të vëllain. Tashmë nuk donte t’ia shohë as sytë.

Një ditë, vëllai i madh u zgjua nga trokitjet e forta të derës. Ai brofi jashtë dhe pa një burrë të huaj, i cili i tha:”Po kërkoj punë dhe mendova mos u duhem për të restauruar ndonjë mur apo çfarëdo pune tjetër.”

“Po” – i tha i zoti i shtëpisë – më lipsesh për një punë të rëndësishme dhe të shpejtë. A e shikon atë shtëpinë përballë? Është e tim vëllai. Para një jave ai e ndryshoi rrjedhën e përroit për tu ndarë përfundimisht. E unë vendosa ta ndihmoj, vendosa të ndërtoj një mur me qëllim që mos e shoh as me sy. Tani, a i sheh ato gurët e grumbulluar atje? Me to, dua të më ndërtosh një mur ndarës përgjatë përroit!”

Burri i huaj ia ktheu:”Mendoj se e kuptova qëllimin tuaj.”

Pronari i tha:”Vazhdo punën, se mua më duhet të shkoj në qytet.”

Kur u kthye nga qyteti, vëlla mbeti pa gojë. Në vend që të ndërtojë murin, ustai kishte ndërtuar një urë guri që lidhte dy anët e përroit

Në atë çast, u kthye dhe vëllai tjetër dhe kur pa urën e gurit, rendi me vrap dhe rroku për qafe vëllanë të cilit me lot në sy i tha:”Me të vërtetë që je njeri i mrekullueshëm! Paske ndërtuar një urë për të lehtësuar komunikimin me mua! Sinqerisht që jam krenar me ty!”

Teksa dy vëllezërit u pajtuan dhe u përqafuan, ustai i huaj mblodhi plaçkat dhe u kërkoi leje të largohej.

“Prit! Prit! Duam të qëndrosh pak më gjatë mes nesh! Kemi shumë punë të tjera për të bërë!”

Ustai duke u buzëqeshur ngrohtë u tha:”Do të doja të qëndroj, por kam akoma shumë ura për të ndërtuar.”

Urtësia:

Le të jemi ustallarë urash komunikimi me njerëzit dhe jo shkatërrues të tyre. Le të mbjellim mirëkuptim dhe të heqim dorë nga farat e keqkuptimit.