Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kur iu dorëzua, refuzon të martohet me të

Kur iu dorëzua, refuzon të martohet me të

 

Pyetje:”Fillimisht dua t’ju falënderoj për punën që bëni në shërbim të myslimanëve dhe shoqërisë. Uroj që të jeni të durueshëm dhe ta lexoni gjer në fund shqetësimin tim. Unë rrjedh nga një familje e respektuar, jam besimtar dhe mendoj se jam njeri i sinqertë me Zotin. Ka disa kohë që jam fejuar me motrën e nuses së vëllait.

Problemet filluan që në rastin e parë kur na u dha rasti të qëndrojmë vetëm me njëri-tjetrin, pasi filluam të puthemi dhe të përqafohemi si të ishim bashkëshortë. Kjo ka ndodhur më shumë se një herë. Përveç penetrimit, gjithçka tjetër e kemi bërë. Problemi qëndron se unë e kam kuptuar gabimin që kemi bërë. Si unë dhe e fejuara, ndajmë të njëjtën përgjegjësi për atë që ka ndodhur, gjë e cila më ka vrarë shpirtërisht dhe psikologjikisht. Kurrë nuk më kishte vajtur në mendje se mund të bëja gjëra të tilla. Ajo që ma shton më shumë dhimbjen, është se e kam të vështirë që të fejuarën time ta shoh si bashkëshorte. Gjithçka që ndodhi mi ka ftohur ndjenjat karshi saj, të cilën nuk e shoh dot si një grua të ndershme, edhe pse të dy jemi penduar për gjithçka ndodhi. Megjithatë, e ndjej që nëse përsëris të njëjtat gjeste, ajo nuk do më refuzojë por do më përgjigjet njëlloj. Ndihem shumë i pezmatuar dhe i mërzitur, pasi e ndjej se ajo femër nuk bën për mua dhe as unë për atë.

Kam një dëshirë të madhe për një grua të ndershme, edhe pse jam i ndërgjegjshëm që unë jam fajtori kryesor dhe nuk ia ngarkoj të gjithë fajin asaj. Çfarë duhet të bëj? A duhet të ndahemi? Apo diçka e tillë do e rëndonte gjendjen e saj shpirtërore dhe kështu unë gaboj dy herë? Jetoj shpesh me ëndrrat e mia për të ardhmen time familjare, ku imagjinoja përkrah një grua të ndershme me të cilën ndërtoja folenë familjare. Kurse tani kjo ëndërr më është shuar, të paktën me këtë grua. A mund t’i besoj nderin dhe veten time kësaj gruaje? Çfarë të bëj?”

Përgjigje:”Vëlla i nderuar! Që në fjalinë tënde të parë ku thua “mendoj se jam i sinqertë me Zotin” e tregon çfarë njeriu je. Letrat ku dërguesit e tyre shprehen se janë besimtarë, fetarë dhe se  i frikësohen Zotit janë të shumta, por unë befasohem me përmbajtjen e tyre dhe shkeljet e dispozitave të Zotit nga ana e këtyre “besimtarëve”, të cilat nuk shoqërohet me ndjenjën e fajit, peshën e gjynahut apo brejtjen e ndërgjegjes.

Meqë pretendon se je i sinqertë, më lejo të them dy fjalë në vesh: Ti e pranon që të dy jeni pjesëmarrës në faj, megjithatë mendon se ajo duhej të refuzonte dhe të rezistonte. Prandaj më thuaj, a nuk është motra e saj, gruaja e vëllait tënd? A nuk konsiderohej e mbyllur çështja e martesës tuaj? Në fund të fundit, a nuk është dhe ajo njeri dhe ka nevoja dhe ndjenja ashtu si ti? Në rastin tuaj, secili gjeti tek tjetri mundësinë për të plotësuar këto nevoja dhe instikte. Ti nga ana jote, u shtyve për të plotësuar nevojat seksuale, kurse ajo vendosi të dorëzohej pasi ti ishe burri i saj i ardhshëm. Përse duhej të priste atëherë?

Ndoshta është më pak fetare sesa ti. Ndoshta ka dëgjuar nga shoqet se gjëra të tilla ndodhin zakonisht mes të fejuarve dhe se këto merren si normale, përderisa jeni rrugës për t’u martuar. Mund të jenë dhe lidhjet miqësore të mëparshme, ato që ua kanë garantuar martesën me njëri-tjetrin. Ka mundësi që ajo të jetë edhe person me personalitet të ndrydhur dhe vullnet të dobët.

Ku e di ti që ajo nuk ka qarë dhe nuk është penduar për atë që ka bërë, ashtu siç ke reaguar dhe ti? Aq më tepër që ti vetë e pohon se ajo e pranon që ka gabuar, e bren ndërgjegjja dhe se gjithçka që ka ndodhur e konsideron haram dhe të papranueshme. Ndoshta është frikësuar se po të kundërshtoi, mund të prishësh fejesën sepse nuk i je përgjigjur, ndërkohë që ajo të donte dhe nuk e imagjinonte jetën pa ty.

Një mijë “ndoshta” mund të vihen për të justifikuar qëndrimin e saj, përderisa ishe ti nismëtari dhe pionieri i këtij akti. Por nëse ka qenë ajo që të është afruar, të ka joshur dhe tunduar, t’i ka lehtësuar gjërat etj... kjo është diçka tjetër. Ti u eksitove dhe e kërkove, kurse ajo u dorëzua... të dy keni gabuar, ashtu siç e keni pranuar. Përse u dashka që çmimin ta paguajë vetëm ajo? Zoti i lartësuar nuk bën dallime në ndëshkim mes femrës dhe mashkullit. Përse dashke të bësh dallime ti?

Veç kësaj, ku ndodheshin familjarët e vajzës ato çaste? Si është e mundur që të veçoheni në atë formë që përmende larg familjarëve të saj? Si nuk kishit frikë se mund t’ju shohë dikush?

Prandaj është ndaluar qëndrimi vetëm mes një femre dhe mashkulli. Në një rast të tillë, kur ndizet dhe shpërthen epshi, nuk e frenon dot kush përveç profetëve të Zotit. Me këtë rast, sjell ndërmend profetin Jusuf a.s, i cili nuk arriti të largohej nga dhoma, vetëm pasi konstatoi argumentin e Zotit.

Ti shtroje pyetje:”A është e mundur t’i besoj kësaj femre nderin tim?”

Kurse unë të pyes:”A mund të më garantosh se po u fejove me një tjetër, kjo tjetra është e ndershme dhe nuk ia ka hedhur sytë dikujt tjetër më parë? Qoftë ky tjetri ish i fejuari i saj, apo ish i dashuri.”

Nëse hapim portën e dyshimeve, do të vdesësh nga frika dhe ankthi. Nëse në rastin e abdesit dhe të namazit, marrim besimin si të mirëqenë, në raste martese kjo kërkon më shumë besim dhe siguri. Ti e njeh familjen e saj, për shkak të lidhjeve miqësore të mëparshme... A është ajo një familje e respektuar apo jo? A i ka edukuar mirë fëmijët e saj, apo njihet si një familje dorëlëshuar dhe indiferente?

Mos e testo herë tjetër aftësinë e saj për të rezistuar, pasi nuk është diçka dinjitoze. Kurë mos thuaj se nëse e provon sërish, ajo do të pranojë dhe do të përgjigjet pozitivisht.

Në dilemat që të shqetësonin ngritëm një mijë "ndoshta" të mundshme. Unë të këshilloj që të mos e vësh të fejuarën tënde në pozita të tilla. Përderisa të dy e pranoni që keni  gabuar, pendohuni dhe kërkoni Zotit falje. Sakaq çështja e nderit dhe pastërtisë morale, janë më të mëdha sesa një moment dobësie për të cilin kanë kontribuar të gjithë në përgatitjen e atmosferës dhe kushteve të përshtatshme. Familjarët u paskan lënë të dyve në një dhomë të vetmuar, duke u lejuar të veproni ato që ke cekur më lart. Ambienti i izoluar është ndihmuar nga presioni i instinkteve seksuale që gjenden si tek femra dhe tek mashkulli, instinkte të cilave nuk mund tu rezistojnë veçse ata që gëzojnë dashurinë dhe mbrojtjen e Zotit. Ashtu siç e ka ndihmuar dhe dorëzimi i të fejuarës tënde.

Unë të këshilloj që ta harrosh këtë rast dhe këtë shkarje, ta trajtosh fejesën si një periudhë studimi të partnerit, nëse të përshtatet në mënyrën e të menduarit dhe si personalitet, në objektiva etj… Nëse përgjigjet janë pozitive, atëherë të këshilloj të martohesh sa më shpjet, ose të paktën të vini kurorën e martesës (nikahun).

I shtoni istigfaret dhe mos lejoni të qëndroni në ambiente të izoluar, pas kësaj dite.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free